Skema kombëtare e bujqësisë hapet më 20 maj, hiqet nafta pa taksa për fermerët
Ministria e Bujqësisë pritet të hapë më 20 maj aplikimet për skemën kombëtare të mbështetjes në bujqësi, ndërsa një nga ndryshimet kryesore të këtij viti është heqja e skemës së naftës pa taksa për fermerët.
Aplikimet online dhe mbështetje për fermat e vogla
Pas më shumë se një muaji pritje, ministria ka përfunduar udhëzimin që i hap rrugën nisjes së aplikimeve. Fermerët do të aplikojnë online, por do të kenë mundësi të marrin asistencë edhe fizikisht pranë zyrave të Agropikave në të gjithë vendin. Skema e këtij viti parashikon një fond prej 5.2 miliardë lekësh dhe synon të mbështesë më shumë fermat e vogla dhe prodhuesit individualë.
Për blegtorinë janë ulur kriteret minimale për përfitim. Blegtorët që kanë të paktën 5 lopë do të përfitojnë 12 mijë lekë për krerë, ndërsa në skemën e vitit të kaluar kërkoheshin të paktën 10 krerë dhe subvencioni ishte 10 mijë lekë. Për bagëtitë e imta, subvencioni rritet në 1.500 lekë për krerë për tufat me minimumi 50 krerë, nga 100 që ishte kufiri më parë. Për herë të parë financim do të ketë edhe për dosat, me 7 mijë lekë për krerë për fermerët që kanë të paktën 5 krerë.
Dyfishohet mbështetja për bletarinë dhe kontrollin biologjik
Mbështetja për bletarinë është dyfishuar këtë vit. Fermerët do të përfitojnë 20 mijë lekë për zgjua për fermat me jo më pak se 25 koshere, ndërsa vitin e kaluar kërkoheshin minimumi 50. Një fokus i veçantë i skemës së re do të jetë mbrojtja biologjike në bujqësi, duke nxitur përdorimin e insekteve të dobishme në vend të pesticideve.
Për kontrollin biologjik të dëmtuesve në perime, fermerët do të përfitojnë deri në 70% të vlerës së faturave për blerjen e materialeve biologjike, por jo më shumë se 40 mijë lekë për dynym në rastin e dy mbjelljeve në vit. Po ashtu, të rinjtë që investojnë në ferma bujqësore apo blegtorale do të mund të përfitojnë deri në 70% të vlerës së investimit, me një tavan maksimal prej 1 milion lekësh.
Hiqet nafta pa taksa
Ndryshimi më i rëndësishëm i këtij viti është heqja e skemës së naftës pa taksa. Ministria e Bujqësisë argumenton se skema nuk ka funksionuar siç duhet dhe ka pasur raste abuzimi.
Nga ana tjetër, fermerët që shesin prodhimet te grumbulluesit apo agroturizmat do të duhet të pajisen me faturë tatimore, në mënyrë që të përfitojnë kompensimin prej 10%, i cili pritet të nisë nga 1 korriku.